Me pankarta në duar gjimnazistët e Pogradecit protestojnë kundër dhunës seksuale ndaj të miturve
Me pankarta dhe me tullumbace në duar, gjimnazistë të Pogradecit kanë protestuar kundër dhunës seksuale ndaj të miturve.
Ata kanë marshuar në qytet ndërsa dhanë edhe mesazhe kundër çdo lloj dhune ndaj moshatarëve të tyre.
Pak javë më parë në shumë qytete të vendit tonë u mbajtën protesta kundër këtij fenomeni, por të rinjtë e Pogradecit thanë se ata zgjodhën këtë ditë si një simbolikë për të treguar që reagimi ndaj këtyre çështjeve nuk duhet të jetë vetëm pasi të ndodhin.
"Këto iniciativa kërkojnë bashkimet dhe kërkojnë angazhimin e të gjithë të rinjve të qytetit dhe i gjithë qëllimi i kësaj iniciative është të japim mesazhe sado të vogla sensibilizuese kundër abuzimit seksual të të miturve. Kemi zgjedhur një ditë të çfarëdoshme për vetë faktin që mos jetë vetëm kur ndodhin këto ngjarje dhe ne të ngrihemi."
"Është diçka që të gjithë duhet ta ndjejmë nga pak për vete në mënyrë që të japim një mesazh për të gjithë të tjerët. Nëse nuk e bëjmë ne, nuk ka kush ta bëjë."
"Po patjetër, si fillim edukimi parësor fillon nga edukimi seksual nëpër shkolla."
Gjimnazistët janë shoqëruar në këtë marshim proteste edhe nga mësuesit e tyre.
