Arrihet marrëveshja, 14 miliard euro ndihmë për Ballkanin Perëndimor

Arrihet marrëveshja politike për 14 miliard euro si Instrument për Ndihmën e Para-Anëtarësimit, për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Lajmin e ka bërë me dije Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në një postim në rrjetet sociale, ku dhe ka publikuar marrëveshjen. 

Kjo marrëveshje, do të sigurojë fonde për Planin Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mjet kyç për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të rajonit pas COVID19

“Arrihet marrëveshja politike për 14 miliardë euro si Instrument për Ndihmën e Para-Anëtarësimit. IPAIII do të mbështesë politikën e zgjerimit & do të sigurojë fonde për Planin Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mjet kyç për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të rajonit pas COVID19.”- shkruan Soreca.

Këtë lajm e ka publikuar gjitashtu edhe  Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi, i cili ka njoftuar në Twittër rreth marrëveshjes. Ai është shprehur gjithashtu se paketa është një investim i qëndrueshëm në të ardhmen e zgjerimit të rajonit dhe BE. 

“Kjo marrëveshje e shumëpritur mbi ndihmën tonë ambicioze të financimit është një sinjal pozitiv, i mirëpritur dhe i fortë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Paketa e rënë dakord është një investim i qëndrueshëm në të ardhmen e zgjerimit të rajonit dhe BE, duke mbështetur zbatimin e reformave kryesore politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me standardet e BE dhe në mënyrë progresive në përputhje me rregullat dhe politikat e saj. Ai do të sigurojë fonde për Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, një mjet kryesor për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të këtij rajoni me përparësi. Përmes investimeve në sektorë kyçë, përfshirë infrastrukturën, mjedisin dhe klimën, si dhe energjinë dhe digjitalin, kjo do të rrisë konvergjencën me BE dhe do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët”.- është shprehur Oliver Varhelyi