Lala përballë KPA, pasuria e gjyqtarit sërish në "sitë", Kolegji kërkon hetim për aftësitë e pasurinë

Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit si dhe hetimi i përciptë i KPK-së për pasurinë e kreut të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës Ramiz Lala, ka bërë që KPA të kërkojë hetim të mëtejshëm para se të marrë një vendim për shkarkimin apo jo të tij.

Kolegji i Posaçëm i Apelit do të vijojë hetimin për aftësinë profesionale dhe pasurinë e  kreut të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës Ramiz Lala.

Trupi gjykues kërkoi nga kjo gjykatë dosjen e një prej çështjeve të gjykuara prej tij, për të cilën ka pasur një denoncim edhe nga ana e policisë së shtetit.

Bëhet fjalë për vendimin e gjyqtarit për t’i dhënë gradën “Drejtues” punonjësit të policisë së shtetit me iniciale A.Gj.

Institucioni i sigurisë në vend, në padinë e saj thotë se ky vendim bie në kundërshtim me ligjin dhe procedurat përkatëse, pretendim i cili është mbështetur edhe nga Komisioneri Publik.

Edhe pasuria e gjyqtarit ka hasur probleme në këtë proces. Komisioneri publik thekson se nga ana e Komisionit të pavarur të Kualifikimit është ndjekur një metodë e ndryshme për analizën financiare.

Ndërkohë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit këtë të mërkurë doli dhe gjyqtari i Elbasanit, Tomor Kullolli. 

Ky i fundit pret gjithashtu edhe një vendim nga KLGJ për të përfituar pension të parakohshëm, çka do e përjashtonte nga sita e Vettingut.

Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, Kullolli u paraqit pa asnjë dokument të përgatitur për mbrojtjen e tij ndaj hetimit të KPK-së duke kërkuar shtyrje të seancës, e cila do zhvillohet në 7 qershor.