“Do mbajmë dorën shtrirë për PD”, Balla: T’i japim fund kësaj sherrnaje politike

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë që ka dhënë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, është shprehur se forca e tij politike është gati për t’u ulur me PD për të diskutuar në lidhje çështje të rëndësishme.

Më tej ai ka thënë se koha që palët t’u japin fund konflikteve politike, dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët  për të punuar në funksion në çuarjen e reformave.

Ai ka kthyer përgjigje edhe Kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha se Edi Rama e ka kthyer PS në stallë lopësh.

"Ç’të them unë për Lulin, pyesni Lulin. Luli kur i referohet Partisë Socialiste duhet t’I referohet si një model i një partie që ka një organizim të pakrahasueshëm dhe që një parti që të gjithë anëtarët e PS i ka të disponueshëm për të gjithë anëtarët e PS. Nuk po hyjë në debatin që ka lindur brenda asaj partie që nuk dihet kush do votojë në 13 qershor.

Vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë, dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD sapo të fillojë legjislatura e re parlamentare, nëse PD është gati, për të diskutuar për gjërat e rëndësishme që secila prej palëve ka në një demokraci funksionale.

Mazhoranca ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta, por ajo që presin qytetarët prej nesh është që t’i japim fund kësaj sherrnaje, të gjatë politike dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për të punuar në funksion në çuarjen e reformave që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend, gjë të cilën nuk e kemi. Për të miratuar kode duhet një koncensus me opozitën dhe në këtë këndvështrim, mendoj se është koha për të lënë pakënaqësitë dhe alibitë e një rezultati elektoral, por të shohim se si secili prej nesh që mandatin që kanë marrë t’i shërbejë atyre që e kanë votuar."