"Humbëm 4 mandate nga votat e pavlefshme", Balla: Po përgatitemi për fitoren e zgjedhjeve vendore

Në asamblenë kombëtare të Partisë Socialiste, të mbajtur pasditen e sotme, 2 qershor në fjalën e tij Balla u shpreh se PS-ja do të kishte tani 78 mandate nëse nuk do të kishte humbur 4 mandate nga votat e pavlefshme.

Balla tha se pas fitores së 25 prillit, tani do përgatiten për fitoren e zgjedhjeve bashkiake në 2023 dhe atyre parlamentare në 2025.

Balla: Ne duhet të bëjmë një analizë të plotë të rezultatit të zgjedhjeve në çdo qark. Edi Rama tha në takimin e parë me grupin parlamentar pas zgjedhjeve se ne do të kishim 78 mandate nëse nuk do të kishim humbur 4 mandate për shkak të votave të pavlefshme. Nga analiza jonë ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore në vitin 2023, natyrshëm edhe për ato parlamentare të vitit 2025.

Në 12 qershor Partia Socialiste feston 30-vjetorin e krijimit të saj.