Tatimet nisin fushatën në bregdet, bizneset duhet të lëshojnë kupon tatimor dhe të afishojnë çmimet
Faturat tatimore, lista e çmimeve dhe sigurimi i punonjësve do të jenë objekt i kontrollit prej tatimorëve që këtë fillim qershori kanë nisur fushatën në terren. Grupet e punës do të nisin fillimisht konsultimet me bizneset që veprojnë në zonat turistike dhe më pas me verifikimet në terren.
Nisja e sezonit turistik shënon dhe denoncimet më të shumta të abuzimeve me çmimet në bregdet apo tregtimin pa faturë tatimore.
Edhe pse prej ditësh qytetet kanë deklaruar se kanë pritur pushuesit e parë, vetëm në këtë fillim qershori është bërë e ditur nisja e kontrolleve në terren.
Sipas deklaratës për mediat, administrata do të nisë fillimisht takimet informuese dhe më tej do të vijohet me monitorimet në terren që do të zgjasin së paku deri në fund të shtatorit.
Në mbrojtje të konsumatorit kërkohet që çdo subjekt të afishojë në vend të duhur listën e çmimeve për të mos lejuar abuzimet.
Objekt i verifikimit nuk do të jenë vetëm faturat tatimore, por po ashtu dhe sigurimi i punonjësve, qoftë ata me kohë të plotë apo dhe të pjesshme.
Një tjetër thirrje e tatimorëve shkon dhe për konsumatorët, të cilëve u kërkohet të mos largohen pa marrë faturën për mallin e blerë apo shërbimin e marrë.

