Qeveria nuk fal tatim-fitimin për biznesin e vogël, debat mes Sokos dhe Ibrahimit: Turp, i mashtruat për votën
Një premtim i qeverisë Rama se biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim-fitimin për 2020 duket se pas zgjedhjeve nuk është më në fuqi.
Në studion e Rtv Ora përballë gazetares Beti Njuma, ekonomisti Pano Soko e cilësoi një mashtrim të qeverisë dhe Ramës për të marrë votat në 25 prill.
Soko: Mesa duket është tërhequr nga ky premtim që bëri një vit më parë kryeministri, por edhe vetë drejtoresha e Tatimeve më vonë ka thënë që nuk do të paguhet tatim-fitimi nga biznesi i mesëm për 2020. Ajo që po ndodh sot është se paska pasur njoftime të Drejtorisë së Tatimeve për pagesën e tatim-fitimit. Është një muaj pas zgjedhjeve. Do të isha shumë i surpizuar që këtu të mashtrohet ashiqare për të fituar pozitë elektorale dhe pasi mbarojnë zgjedhjet të kthehet fjala në këtë formë, nuk e di. Kanë thënë që ka qenë një keqkuptim, një lapsus. Nuk e kuptoj, kjo do të ishte fundi i spektaklit.
Ndërsa ka njoftime se biznesit ka nisur ti kërkohet shuma prej 500 mijë lekë, soko thotë se në tatal shuma që gjeneron tatim-fitimi i biznesit të vogël dhe të mesëm është rreth 2 miliard lekë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimi, ka një tjetër version të historisë.
Ibrahimi: Që në prill të vitit të kaluar qeveria nxori një akt normativ ku shtyheshin të gjitha këstet e parapagimit të tatim-fitimit të 2020 duke supozuar që nuk do të gjeneronin fitim. Pritej që fitimi i tyre të ishte zero ose negativ. Gjatë vitit nuk u parapaguan këstet por administrata tatimore në vazhdimësi ka bërë njoftime për dorëzimin e deklaratës dhe për pagesën e tatimit për 2020. Në fund të 2020 u ndërmor iniciativa ligjore që për 2021 nuk do të paguhej më tatim-fitim për subjekte me fitim nga 0-14 mln lekë dhe TVSH për subjekte nga 0-10 mln. Me dorëzimin e deklaratës në shkurt për bizneset që janë subjekte të tatimit të shtuar dhe në mars për subjektet e tatimit mbi fitimin deri në 14 milion lekë nuk do të gjenerohesin më këste paragimi për 2021. Kush ka qenë i kujdesshëm në ligjet e nxjerrjes nga parlamenti.
Por për Sokon ky argument nuk qëndron, duke e konsideruar një abuzim të pastër.

Soko: Ka një abuzim. Kur vjen puna për marrjen e masave bëhen në rrjete sociale. Në deklaratën e bërë nga kryeministri dhe ju është thënë se nuk do të paguhen këstet e tatim-fitimit për 2020. Do të thotë se nuk do të paguhen, jo të paguhen në 2021. Është kulmi i fundit të seriozitetit të këtij vendi. Keni arritur kulmin. E ka bërë kryeministri dhe ju. E keni shfrytëzuar të gjithë këtë situatë për të mbledhur votat. Kulmi i qesharakërisë që ka arritur ky vend.
E ndërsa 2020 nuk ishte një vit i zakonshëm por tejet i vështirë, Ibrahimi pyet se cili biznes nuk ka marrë shpërblim?
Përgjigjen ja jep Soko.
Soko: Asnjë ndihmë, kanë marrë punonjësit. Çfarë ndihme, ato kreditë që i vutë njerëzit atje si dele në rresht dhe nuk ka marrë asnjë kredi, kreditë me interes me 3.3%? Atë ndihmë i keni dhënë biznesit. Dhe një premtim që ua bëtë ua shkelët sapo mbaruan zgjedhjet, u morët votën. Nëse ky nuk është turp, më thoni çfarë është turp?

Ibrahimi: Tatim-fitimi llogaritet në bazë të deklaratës që bëjnë subjektet.Nëse mnë 2019 subjektet kanë realizuar një fitim për 2020 administata tatimore përmes sistemit të saj bazuar në fitimin e 2019 parashikon një fitim për vitin ushtrimor 2020 dhe ky fitim ndahet në këste në mënyrë që biznesi të parapaguajë këstet e tatim-fitkmit dhe në fund të 2020 kur dorëzon deklaratën bëhet një balancim i kësteve të parapaguara dhe asj që ka për të paguar realisht biznesi.
Soko: Nuk ja keni shpjeguar kështu biznesit.