"Pronarët po zhvishen nga e drejta e pronësisë pa i dëmshpërblyer paraprakisht"
Institucionet shtetërore u kanë marrë qytetarëve pronat në mënyrë arbitrare pa ju dhënë ende kompensimin.
Ky është shqetësimi i ngritur në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2020 ku theksohet fakti se shteti përdor forcën kundrejt pronarëve.
”I zhveshin këta të fundit nga e drejta e pronësisë dhe nuk i dëmshperblejnë paraprakisht, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe brenda afateve ligjore. Qytetarët ndihen të pafuqishëm nga forca shtrënguese e shtetit i cili në këtë rast e përdor “forcën” jo në mbrojtje të tyre por ndaj tyre.”
Një problematikë e bërë prezente në raportin e dorëzuar në parlament është edhe fakti se individëve u zgjatet koha e pritjes dhe u rëndohen kostot nga zvarritja e institucioneve.
“Shtuar këtij shqetësimi është dhe fakti se institucionet sjellin pengesa dhe zvarritje pa asnjë logjikë dhe pa bazë në mënyrën e pagimit të dëmshpërblimit kosto kjo që rëndon në anën e subjekteve të shpronësuara.”
Por edhe vonesat në regjistrimin e pronave janë një çështje që kërkon vëmendje të shtuar theksohet në dokumenta.
“Kjo situatë ka sjellë, sidomos në zonën bregdetare, një problematikë të madhe lidhur me të drejtën e pronësisë, pasi personat juridikë apo fizikë që disponojnë pasuritë e tyre në këto zona në mungesë të çertifikimit të pronave të tyre po përballen me veprimtarinë antiligjore dhe në shkelje të të drejtave të njeriut.”
Avokati i Popullit thekson se shkeljet dhe cënimet e të drejtave kushtetuese e ligjore të shtetasve të kryera nëpërmjet strukturave të caktuara kanë ardhur si rezultat i mosnjohjes së ligjit dhe keqpërdorimit të tij në zgjidhje të problematikave të krijuara.
