Raporti 2020, Sejko: Ekonomia ka shanse për rimëkëmbje të shpejtë, kreditë "e këqija" do të rriten

Efektet e pandemisë do të ndihen në Shqipëri jo vetëm në papunësi, por dhe në riskun që do të kenë bankat. Guvernatori i Shqipërisë Gent Sejko para deputetëve deklaroi se pritet të rikthehet fenomeni i kredive të këqija.

"Me gjithë problemet e natyrshme ne kemi shmangur falimentimet në masë të bizneseve dhe rritjen e fortë të papunësisë. Së fundi pavarësisht testit të fortë, ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit mbetën solidë. Në gjykimin tonë ekonomia shqiptare i gëzon premisat për një rimëkëmbje të shpejtë në të ardhmen," tha guvernatori.

Megjithatë Sejko shprehet optimist për të ardhmen. Madje ai parashikon rritje ekonomike, por pa dhënë shifra.

"Kredia e keqe është ulur nga niveli afërsisht 25%  që ishte piku, për momentin jemi në nivelin më të ulët të kredisë së keqe që është në nivelin 7.88 %. Kemi një pritshmëri për një përkeqësim të kredisë së keqe si pasojë e efekteve të pandemisë," tha Sejko.

Nga moratorium i shtyrjes së kredive gjatë vitit 2020 kanë përfituar 23 mijë familje, vlera e të cilave arrin në 200 miliardë lekëve.