Gjermanët 'nuk e pëlqejnë' Shqipërinë për investime, 33% prej tyre të pakënaqur me përvojën e punës

Kompanitë gjermane e konsiderojnë Shqipërinë si vendin më pak të pëlqyer në Rajon për të investuar.

Një sondazh i zhvilluar nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës tregoi se 33% e bizneseve gjermane të anketuara janë të pakënaqura me përvojën e përgjithshme të të punuarit në vendin tonë.

Kundrejt pakënaqësisë prej vetëm 8% në Maqedoninë e Veriut, 11% në Serbi dhe 20% në Bosnjë – Hercegovinë.

Në sondazh thuhet se korrupsioni, infrastruktura e dobët, e drejta e pronës, ekonomia informale dhe kapaciteti i kufizuar administrativ janë anët e dobëta të ekonomisë në vendin tonë.

Në total, vetëm 33% e të anketuarve ishin shumë të kënaqur, apo të kënaqur me Shqipërinë.

Analiza e ekspertëve të Vjenës sugjeron që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojnë qasjen rreth ekonomisë së tyre duke ofruar cilësi më të lartë në mënyrë që të përfitojnë nga investitorët.

Sugjerohet gjithashtu edhe përmirësimi i bashkëpunimit midis kompanive vendase dhe të huaja për të rritur në këtë mënyrë potencialin.

Nga viti 2010 e deri në vitin  2019 kanë hyrë në ekonominë e Rajonit 45 miliardë euro Investime të Huaja Direkte dhe gjysma e totalit ka qenë në Serbi ndërsa 9 miliardë në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë investimet e huaja në vitin 2020 kapnin vlerën e  933 milionë eurove dhe krahasuar me një vit më parë rezultojnë në rënie me 13%.