Nga 1 korriku policat e reja të sigurimit

Nga 1 korriku i këtij viti pritet të hyjnë në fuqi tri modelet e policave të reja të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Në faqen e pasme të policës së sigurimit TPL, përfshihet detyrimi ligjor i shoqërive të sigurimit për të shpërndarë formularin “Raportit Evropian i Aksidenteve”.

Ky formular do të përdoret në rastet e aksidenteve me dëme me vlerë deri në 30 mijë lekë, nëse drejtuesit e mjeteve bien dakord për përgjegjësinë dhe nënshkruajnë formularin, pa lindur nevoja që polica rrugore të shkojë në vendngjarje.

Ndërsa për dëmet me vlerë deri në 100 mijë lekë ligji i ri përcakton afatin 14 ditor për trajtimin e tyre dhe jo 30 ditë siç është aktualisht.

Mes ndryshimeve të reja është edhe shmangia e Fondit të Kompensimit, ku palës së dëmtuar në një aksident i jepet e drejta të kërkojë dëmshpërblim drejtpërdrejt nga shoqëria e saj e sigurimit, në rastin kur shkaktari i aksidentit është i pasiguruar apo i paidentifikuar.

Në pjesën e pasme të policës së re të sigurimit TPL, janë reflektuar ndryshimet ligjore në lidhje me limitet e përgjegjësisë, ku parashikohet rritja e tyre graduale nga 1 janari 2022 deri në 31 dhjetor 2026.

Ndryshimet ligjore janë reflektuar gjithashtu edhe te kushtet e përgjithshme te polica për sigurimin e detyrueshëm nga aksidentet të pasagjerëve në transportin publik, si edhe policat e sigurimit kufitar.

Modelet e reja të policave, pasi t’i nënshtrohen konsultimit publik, pritet të miratohen nga Bordi i Autoritetit të mbikqyrjes financiare.