Pandemia rriti varfërinë, Malaj: Qeveria i ndërpreu në mes ndërkohë që kriza nuk kishte kaluar
Raportet e fundit nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare vlerësojnë se varfëria dhe papunësia në Shqipëri janë rritur ndjeshëm duke shënuar nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Sipas ekspertëve ndihma e dhënë nga qeveria veçanërisht gjatë pandemisë ishte e pamjaftueshme dhe u ndërpre pa kaluar ende kriza.
Shqipëria vlerësohet si vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor, pasi rreth një e treta e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë.
Ky është vlerësimi më i fundit i Bankës Botërore, i cili paraqet dy skenarë sa i përket rritjes së varfërisë, në rastin më optimist në vitin e pandemisë në skamje u shtuan dhe 28 mijë persona, ndërsa në atë pesimist në varfëri u renditën edhe 112 mijë të tjerë.
Sipas profesorit të ekonomisë, Arben Malaj, në këta tregues është ndikuese ndihma e pamjaftueshme e qeverisë.
"Paketat e nuk e arritën objektivin për të cilën u ndërtuan. Shqipëria i ndërpreu shumë shpejt paketat e ndihmës për individët dhe biznesin dhe nuk respektoi atë këshillën e artë në menaxhimin e krizave që "kurrë mos e hiq spinën nga priza përpara se i sëmuri të marrë frymë vetë lirisht".
Mungesa e të ardhurave si pasojë e krizës solli dhe një rritje të numrit të familjeve që kanë kredi për të paguar, çka kërkon një mbikëqyrje të veçantë.
"Kredia konsumatore sigurisht që e ushqen rritjen ekonomike kur ajo nuk e krijon barrën e rëndë të borxheve të individëve apo të biznesit. Në këtë aspekt duhet parë me kujdes cilësia, sektorët, grupet shoqërore, raporti me të ardhurat."
Një tjetër element shqetësues mbetet papunësia, për të cilën Malaj shprehet se duhen hartuar politika më fleksible.
"Që të jesh fleksibël duhet patjetër që të jetë fleksibël sistemi arsimor ku sistemi arsimor shqiptar, sidomos ai universitar është shumë i ngrirë në mundësitë që u ofron studentëve për të ndjekur shpejtësinë me të cilën ndryshojnë tregjet e punës."
Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë përgjatë këtij viti pritet të jetë e ngadaltë dhe e varur nga situata e pandemisë.


