PS mbledh nesër online Asamblenë, në fokus Kongresi, 25 prilli dhe zgjedhjet e brendshme
Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, e cila do të zhvillohet online të mërkurën do të evidentohen socialistët që punuan mirë për rezultatin e 25 prillit, dhe ata që nuk ishin të suksesshëm në misionin e tyre. Për këtë arsye forumi socialist do të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të strukturave vendore të partisë, ndërsa do të miratohet edhe axhenda e mbajtjes së Kongresit të jashtëzakonshëm në 12 qershor.
Për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, PS do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, e cila pritet ta fusë mazhorancën në një proces zgjedhor të brendshëm, pasi të evidentohen ata që punuan për partinë dhe ata që nuk e çuan deri në fund misionin e tyre.
Për shkak të masave anti-Covid, socialistët kanë menduar ta zhvillojnë të mërkurën në orën 17:30 online, ndërsa kryetari Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla do të jenë të vendosur në selinë rozë.
Fokusi kryesor i kësaj Asambleje do të jetë thirrja e Kongresit të jashtëzakonshëm postzgjedhor, i cili do të mbahet me 12 qershor, datë e cila përkon me 30-vjetorin e PS.
Përveç historisë së tij të suksesit për marrjen e mandatit të tretë qeverisës si kryetar i mazhorancës, Edi Rama do të kalojë në një analizë të imtësishme rezultatin e çdo drejtuesi politik si dhe kryetarët e partive në degë gjatë 25 prillit.
Ilir Beqaj në Shkodër nuk arriti dot të merrte një mandat deputeti, duke u bërë drejtuesi i parë dhe i vetmi politik në PS me një rezultat të tillë.
Të njëjtin fat kishte edhe kryetar i PS-së në Tiranë Ervin Bushati, i cili përveçse humbi mundësinë për të qenë në Parlamentin e ri të shtatorit, mori edhe një rezultat të dobët në njësinë 8 në kryeqytet, të vetmen zonë zgjedhore të fituar nga PD.
Për këtë arsye Asambleja të mërkurën do të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve në strukturat vendore të PS.
Gjithashtu PS do të hapet për anëtarësime të reja në këtë parti në një periudhë 9 mujore.
Të rinj apo të vjetër, me kontribut apo jo në PS, pas Asamblesë dhe Kongresit Edi Rama do të mendojë për qeverinë e re të shtatorit.


