"Basha nuk fitoi përballë një partie me të meta" Gashi: Rama mori mandatin e tretë, problemi është brenda PD-së

Pedagogu Shpend Gashi i ftuar në studion e Ora Neës ka folur për situatën politike në vend përpara zgjedhjeve për kryetar partie brenda Partisë Demokratike.

Gashi shprehet se beteja më e madhe nuk është kundër Ramës, por është brenda PD-së.

Gashi: "Beteja më e madhe është brenda partisë sepse në qoftë se Rama ka arritur deri në mandatin e tretë ka qenë nga mosfunksionimi i Partisë Demokratike dhe problemi më i madh që ka PD  tani është që çfarëdolloj kryetari të ketë pas datës 13 qershor do jetë e përçarë. Zoti Basha nuk është figura përbashkuese e PD-së.

Basha në datën 26 prill, kur u pa treni i humbjes së tij tha tani po fillon lufta. Basha po sillet si Rama brenda partisë së vet me kundërshtarët e vet politikë, por ka kompleksin e Ramës kur del në përballje me Ramën. Zoti Basha ka dështuar të fitojë 3 herë më Ramën. Basha nuk e njeh strukturën e PD-së. Ai ka ardhur i deleguar si ministër në vitin 2005 dhe kjo ka të metat e veta, ka hijet e veta që konsiston në faktin që nuk mund të jesh një lider i fuqishëm."

Gashi gjatë intervistës u shpreh se vjedhja e votës është që në formulë dhe problemi tani nuk është vjedhja por shitja e votës nga qytetarët.

Gashi: "Fituesi asnjëherë nuk gjykohet, pra ne kemi një fitues që është PS-ja. Ne po shikojmë në ngjarjet ditore të gjitha kërkesat që janë protokolluar në KAS po del që  rezultati hap pas hapi nuk po ndryshon. Pra nëse kemi të bëjmë me një vjedhje, vjedhja është sistemore, është që në formulë. Që me prishjen e marrëveshjes së 5 qershori u vulos vjedhja e votave.

Këtu nuk është më problem që po blihet vota, është problem që po shitet vota."

Përsa i përket kundërshatëve të zotit Basha brenda partisë, Gashi tha se zoti Elezi nuk duhet të ishte përjashtaur nga gara, ndërsa zoti Shehaj  mund të jetë kërcënimi më i madh i Bashës.

Gashi: " Gara e shëndetshme formëson lidera të fuqishëm. Pra deri në momentin që ajo parti nuk e ka një garë të shëndetshme, një garë në kushte të barabarta. Nuk më pëlqeu mbyllja e derës Ibsen Elezit sepse ai ka 30 vjet kontribute në Partinë Demokratike, ishte një person shumë i thjeshtë që vinte nga populli. Në opinionin tim mund të ishte figura që e kërcënonte realisht kryetarin Basha. Fatbardh Kadilli e ka idenë shumë të artikuluar dhe të bukur. Por ai nuk e ka prirjen e liderit. Zonja Harxhi ka problemin që është grua. Zotin Shehaj që e shikoj rrezikun kryesor ka dy qasje të ndara nga njëra-tjetra. Ka persona që e shikojnë si një biznesmen të fuqishëm por me daljen e tij si sfidant i zotit Basha kanë dalë dhe karta ët tjera që ai është patericë e zotit Basha për ta mbajtur në pushtet. "

Përsa i përket shkarkimit të Presidenti Meta, ai u shpreh se Meta bëri atë që në fakt duhet ta kishte bërë opozita.

Gashi: "Presidenti ka bërë atë që duhet ta bënte opozita. Vetë sistemi kur kapet nga të gjitha anët krijon antitrupa, do dalë dikush që të krijojë balancat. Qeveria pasi fitoi zgjedhjet për herë të tretë po fillon po bën kërcënimin e vete sepse do që të marrë dhe presidencën."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku