Palmer dhe Lajçak në Prishtinë, Kosova kërkon dialog parimor, Vuçiç nga Serbia: Jemi në presion

Kosova kërkon një dialog parimor me Serbinë dhe kërkesa për njohjen e ndërsjellë në fund të tij, mbetet e pandryshuar. Dy javë nga vazhdimi i tryezave në Bruksel, dy diplomatët amerikanë dhe europianë, Palmer dhe Lajçak, i kanë kujtuar zyrtarëve të Kosovës rëndësinë e normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Ekipet e Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisin në mesin e qershorit dialogun dypalësh, dhe Amerika e Bashkimi Europian po sigurohen që takimi të jetë konstruktiv e me substancë.

Zv.ndihmëssekretari amerikan, Methju Palmer dhe i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, i theksuan zyrtarëve më të lartë të Kosovës se marrëveshja ka rënëdsi thelbësore.

Ata mbajtën takime të veçanta me presidenten kosovare, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti e përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Në fokus ishte dialogu i nivelit të lartë dhe axhenda europiane e vendit.

"Bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të BE-së dhe Amerikës në procesin e ri është i mirëseardhur sepse është i domosdoshëm, e dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë," u deklaroi Kurti diplomatëve të huaj.

"Të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si edhe funksionaliteti i vendit. Çështja e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, të jetë prioritet në dialog," shtoi edhe presidentja Osmani.

Palmer dhe Lajçak mbërritën të hënën në Prishtinë për të bashkërenduar aksionin diplomatik përpara përballjes me Beogradin.

Nga kryeqyteti i tij, presidenti Aleksandër Vuçiç deklaroi se Serbia është nën presion prej palëve për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Për ne është e rëndësishme që Serbia të mos jetë në panik. Duan që të na mbështetin me shpatulla pas murit. Ofendojnë, krijojnë dokumente të paqena jozyrtare dhe në fund më akuzojnë mua për to," u shpreh të hënën presidenti Vuçiq gjatë një emisioni televiziv.