Me 150 shtretër dhe 12 mijë të shtruar në vit, hapet spitali rajonal i Fierit

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar Spitalin Memorial të Fierit, i cili ka filluar të jetë në shërbim të qytetarëve të të gjithë Rajonit të Jugut.

“Prej disa ditësh Spitali Memorial i Fierit ka filluar funksionimin, pacientët e parë janë shtruar dhe ekipi i mjekëve dhe infermierëve turq dhe shqiptarë janë në simbiozë. Ky spital pritet të ketë mbi 12 mijë të shtruar në vit dhe rreth 2 mijë do të jenë ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara”, tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar stafin mjekësor të ardhur nga Turqia, duke u shprehur se ky spital do të shërbejë si një qendër e transferimit të dijes.

“Jam shumë mirënjohës për gjithë personelin turk që ka ardhur. Dhe dua që t’ju them që edhe në diskutimin që kam bërë me Presidentin qysh në fillim kjo nuk është çështje thjesht e një spitali, edhe një shërbimi më shumë që nuk diskutohet është shumë e rëndësishme, por është mbi të gjitha transferim i dijes. Edhe në një farë mënyre misioni juaj është i dyfishtë, edhe për të shërbyer siç bëni zakonisht, por edhe për t’ju përcjellë kolegëve shqiptarë gjithë dijen dhe eksperiencën tuaj. Ne duam që ky spital të jetë si një qendër e transferimit të dijes edhe për spitalet e tjera edhe për personelin shëndetësor në spitalet e tjera”, deklaroi Kryeministri Rama.

Nga data 27 maj Spitali Memorial i Fierit ka hapur dyert për pacientët dhe deri tani janë 100 pacientë që kanë marrë shërbimet në këtë spital, 18 pacientë janë shtruar dhe janë realizuar 2 ndërhyrjet e para kirurgjikale me sukses.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.