Dita Botërore Kundër Duhanpirjes/ Shuperka: Problem serioz për shëndetin, 800 mijë duhanpirës në Shqipëri

Eksperti për kontrollin e duhanpirjes Roland Shuperka, në ditën botërore kundër duhanpirjes, është shprehur se duhanpirja është një problem serioz për shëndetin në vendin tonë.

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Shuperka, shprehet se në Shqipëri janë afro 800 mijë duhanpirës.

"Vendi ynë është një vend që quhet konsumues serioz i duhanit. Duhanpirja është një problem shumë i madh për shëndetin publik në vendin tonë. Në rast se në nivel botërorë janë 1.3 miliardë duhanpirës, në Shqipëri janë afro 800 mijë duhanpirës. Pra është një shifër shumë e madhe.

Në nivel botëror vdesin çdo vit 8 milionë, ndërsa në vendin tonë vdesin 4 mijë persona çdo vit. Kjo shifër vjen duke u rritur. Në 22 vitet e fundit pothuajse kanë vdekur 70 mijë qytetarë duhanpirës. Trajnoj mjekët e familjes që të ndihmojë duhanpirësit që të lënë duhanin.

Në 10 të sëmurëve me kancer në mushkëri, 9 janë duhanpirës. Ndërkohë sipas studimeve, duhani me ngrohje është një mënyrë shumë e mirë për të lënë duhanin me djegie."

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.