"Bashkëpunëtorë me krimin!" Sulmohet me bojë të kuqe godina e Autoritetit Kombëtar Për Sigurinë dhe Emergjencat
Në dyert e Autoritetit Kombëtar Për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera këtë të hënë, 31 maj, u hodh bojë e kuqe në shenjë simbolike të të gjithë gjakut të derdhur të minatorëve nga aksidentet.
Bilanci i të plagosurve dhe viktimave në miniera sa vjen e rëndohet.
Shifrat e tre viteve të fundit tregojnë se mbi 100 punëtorë janë plagosur dhe 23 prej tyre kanë humbur jetën.
Në shenjë revolte për mosreagimin e autoriteteve shtetërore ndaj këtyre ngjarjeve që pothuajse kalojnë në heshtje, aktivistët e organizatës politike reaguan në këtë formë.
"Sipas statistikave sa më shumë që rritet numri i viktimave në miniera, aq më pak institucionet shtetërore hetojnë apo marrin masa serioze për shkeljen e sigurisë në punë. Agjencia e Kontrollit, Sigurisë dhe Emergjencave në miniera ashtu si Inspektoriati shtetëror i punës, Gjykatat, Ministria, policitë dhe qeveria jo vetëm që heshtin por janë të qarta si bashkëpunëtorë në krim."
Puna e pashpërblyer, pagat e ulëta dhe pasiguria në minierat e nëntokës janë shkak për shfrytëzimin dhe tragjeditë njëra pas tjetrit që po ndodhin.
"Jo më kot këto vdekje janë rezultat i shfrytëzimit pa kriter të minierave, shfrytëzim që punëtorët e paguajnë me jetën e tyre. Deri më tani shteti dhe oligarkët kanë fajësuar minatorët për pakujdesinë në punë, por e vërteta është se faji është i të parëve."
Aktivistët kërkojnë ndërmarrjen e masave për shkeljet e sigurisë në punë dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve të nëntokës.
