Video me “mafia” e modeling në zyrë/ Shellaj për kryegjyqtaren: Sjellje institucionale e papërshtatshme
Gerti Shellaj, ekspert për gjykatat, ka komentuar videot e Gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani, e cila shfaqej në disa video të publikuara në rrjetet sociale, me makina të shtrenjta dhe duke bërë sfilatë në zyrë.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Shellaj, shprehet se është sjellje e papërshtatshme, pasi ka përdorur institucionin për të bërë shfaqje që shkelin etikën.
“Reagimi i institucioneve ka qenë në lartësinë e situatës, dhe reagimi i gjyqtares ka qenë një pranim të saj. Ajo kërkon një lloj mirëkuptimi dhe kërkon që të provojë veten e vet. Përbaltje apo jo unë mendoj se publiku dhe apo media në Shqipëri bazohet mbi parimin e pluralitetit e ka komentuar ngjarjen.
Është vështirë të gjesh mbështetës të qoftë pretendimeve, qoftë edhe performancës të kryegjyqtares, por nga ana tjetër, këtu nëse përfshinë mediat në tërësinë e tyre por edhe institucionet përgjegjëse, duket sikur nuk ka mendime që kundërshtojnë përceptimin e përgjithshëm.
Janë disa video që kanë bërë përshtypje për shkak të rrethanës, që nëse nga njëra anë ka advokuar një lloj shqetësimi të gjyqtarëve, që ashtu të mbetur të pakët kanë një ngarkesë më të madhe se vite më përpara, këtu shikon një gjyqtare tërësisht të relaksuar. Një sfilatë e relaksuar , për të hyrë në zyrën e kryetarit të Gjykatës.
Kjo është një sjellje institucionale e papërshtatshme. Nga ana tjetër se videot mund të jenë marrë, mund te jenë montuar kjo duket se nuk është përgenjështruar. Në ato video që janë shfaqur unë do veçoja videot në makinën e saj, që shihet se është makinë e shtrenjtë dhe luksoze. Është sjellje e papërshtatshme, ka shkelje etike, ka edhe një lloj përdorimi të burimeve të asaj që nuk është e saj. Gjykata nuk është e saj, por e publikut.”
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.
