"Na turpëroi!" Gjonaj kërkon dhe hetim të thelluar pasuror për kryetaren e gjykatës së Elbasanit pas videove në TikTok
Ministrja e Drejtësisë thotë se kryetarja e Gjykatës së Elbasanit ka turpëruar drejtësinë me videot e publikuara në rrjetin social Tik Tok ku ajo shfaqet duke bërë sfilatë si dhe duke dëgjuar këngë për mafian.
Përmes një postimi në twitter ministrja Etilda Gjonaj thotë se prej dhjetorit të 2019 I ka kërkuar KLGJ verifikimin e gjyqtarës dhe se tani është koha që të hetohet në mënyrë të thelluar dhe pasuria e saj.
"Kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund!
Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda!
Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal."
3/3 #ReformaNukDoNdalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund!
— Etilda Gjonaj (@GjonajEtilda) May 31, 2021
Në njërën nga videot e Kryegjyqtares që duhet të dënojë çdo veprimtari kriminale, dëgjohet një këngë për mafien.
Në video të tjera, magjistratja Kapedani reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.
Enkeleda Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.
Në dhjetor 2019, ajo ishte në qendër të vëmendjes pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait në Vlorë.

