Jepet “OK”, finalja Skënderbeu-Vllaznia luhet me 1000 tifozë në “Air Albania"
Eventi i fundit madhor i futbollit shqiptar për këtë sezon do të luhet me tifozë në stadium.
Siç ka mësuar përmes burimeve, RTV Ora News finalja e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Vllaznia që do të luhet sot në orën 19:00 në “Air Albania”, do të ketë zyrtarisht tifozë në shkallët e impiantit.
Prej kohësh FSHF, kishte kërkuar me kërkesa të veçanta nga autoritetet që kjo finale të kishte sado pak tifozë të pranishëm, më në fund Ministria e Shëndetësisë ka pranuar të lejojë një numër të kufizuar prej 1000 tifozësh në “Air Albania”.
Edhe vet Vllaznia përmes Bashkisë së Shkodrës kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Sporteve që të hapeshin dyert për një finale me tifozë dhe tani u bë realitet.
Edhe pse do të jenë vetëm 1 mijë tifozë, atmosfera do të jetë shumë ndryshe për një finale të tillë teksa kemi parë që edhe në ndeshjet e fundit të Kategorisë Superiore në disa ndeshje ka patur një numër të konsideruar tifozësh ndërkohë që zyrtarisht nuk lejohej.
Sa për rikthimin me 30% të tifozëve në impiantet e futbollit, ajo do të ndodhë më 1 Korrik e më pas ashtu siç vendosi Komiteti Teknik së fundmi me lehtësimin e masave por që më e rëndësishmja është fakti që Skënderbeu-Vllaznia do të jetë nën festën e tifozëve për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar, Kupa e Shqipërisë.
