Balaj dhe Çekiçi: Miqësoret nuk i nënvlerësojmë, janë test për Botërorin

Në vigjilje të dy ndeshjeve miqësore që kombëtarja kuqezi do të zhvillojë në Qershor ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke, si gjithmonë në traditën e krijuar nga FSHF, dy lojtarë të kombëtares folën përpara gazetarëve në kompleksin tropikal. Bekim Balaj dhe Endri Çekiçi nga grumbullimi me kombëtaren paraqitën situatën e grupit që po stërvitet nën urdhrat e Edy Rejas.

Balaj: Eshtë vlerësim dhe kënaqësi për mua që jam në kombëtare. Miqësoret kanë vlerësim maksimal nga ne pasi janë një test i rëndësishëm para ndeshjeve me Hungarinë dhe Poloninë. Do t’i vlerësojmë maksimalisht ndërsa unë ndihem mirë. Nuk kam asnjë dëmtim dhe jemi grumbulluar më herët që të kemi kohë në dispozicion për t’u stërvitur me njëri-tjetrin. Kemi grup të vështirë në eliminatore, kemi patur dy ndeshje të lehta në letër që morëm maksimumin ndërsa me Anglinë u përpoqëm të bënim më të mirën. Unë mendoj se nuk duhet të masim forcat me Anglinë por duhet të bëjmë maksimumin në dy ndeshjet që kemi me Hungarinë dhe Poloninë. Në futboll luhatjet e formës janë normale. E ardhmja? Besoj se mund të luaj jo vetëm një vit por më shumë në kampionatet europiane ndërsa për zërat në merkato për një rikthim për mua në Shqipëri mund të them që nuk është në planet e mia për sezonin e ardhshëm.

Edhe për Endri Çekiçin, këto dy miqësoren nuk duhet të nënvlerësohen teksa shtoi se do të shfrytëzojë në maksimum çdo rast që do t’i jape trajneri për të treguar aftësitë e tij.

Çekiçi: Më ka ndihmuar shumë kjo eksperiencë në kampionatin turk me Gencebirligi, më ka ndihmuar të rritem në aspektin professional. Në ekipin aktual luaja si numër 10, edhe në kombëtare e gjej veten si mesfushor më mire. Në momentin që do të më jepet mundësia do të përpiqem të bind trajnerin për aftësitë e mia në kombëtare. Detyrën tonë në ndeshjet e para e bëmë me 6 pikë, ndoshta pas përballjeve direkte mund të bëjmë vlerësim më të mire dhe të japim një notë për atë që kemi bërë. Duhet të përmirësojmë veten sa më shumë deri në ndeshjet e shtatorit dhe nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Polonia dhe Hungaria janë në një nivel me ne dhe duhet të tregojmë më të mirën. Reja më ka shpjeguar atë që kërkon nga unë, shpresoj t’ia arrij dhe ta bind edhe me goditjet e dënimit. Merkato? Asnjëherë nuk i dihet, të shikojmë çfarë do të ndodhë.