Protesta në Francë, fermerët përplasen me policinë

Fermerët francezë nuk po arrijnë ta bindin qeverinë kundër reformës bujqësore por aksioni i tyre po përshkallëzohet.

Disa dhjetëra demonstrues tentuan të enjten të hyjnë në një qendër punësimi në Paris, me apelin se nisma rrezikon mijëra vende pune.

Pas mosbindjes për t'u larguar prej zonës se po shkelnin masat anti -covid, policia ndërhyri duke i gjobitur e duke e shpërndarë me forcë turmën.

"Është përvojë e çuditshme që të përfundosh mes 4 oficerëve specialë kur kemi ardhur këtu vetëm që të kërkojmë drejtësi për shoqërinë."

Fermerët francezë e kundërshtojnë të ashtuquajturën Politikë për Bujqësi të Përbashkët të Bashkimit Europian pasi ajo ndihmon me skema kryesisht fermat me prodhimet organike dhe agro-ekologjike.

Sindikatat e fermerëve thonë se kush përdor metodat tradicionale, si plehrat kimike, përfiton më pak asistencë financiare për hektar toke.

Rreth 1,500 fermerë francezë protestuan në fillim të majit përpara Parlamentit Europian.

Plani strategjik i Francës për një bujqësi më ekologjike është ende në fazën e konsultimit dhe pritet të hyjë në fuqi në vitin 2023.