Kina censuron Lady Gaga, Justin Bieber dhe BTS nga spektakli televiziv
Banda koreano-jugore- BTS, këngëtarët Lady Gaga dhe Justin Bieber të cilët kanë qenë të ftuarit e radhës në edicionin special “Ribashkimi i miqve” nuk janë shfaqur në versionin final të transmetimit në Kinë.
Pjesët e tyre janë prerë nga show, sepse ata besohet se kanë fyer Kinën në të shkuarën. Sitcom-i amerikan është jashtëzakonisht i popullarizuar në Kinë dhe censura ka nxitur kritika nga fansat në platformën e komunikimit Weibo. Ndërsa të tjerë qarkulluan episodin e plotë të pa censuruar, në faqet e piraterisë.
Episodi i ribashkimit kishte sjellë të gjashtë anëtarët kryesorë të kastit për të folur për kohën e tyre në serialin e dashur, së bashku me intervistat me të famshëm dhe fansa.Është e paqartë nëse qeveria ka lëshuar ndonjë direktivë censure, ose nëse platformat e kishin bërë vetë për të shmangur përmbajtjen "e ndjeshme politikisht".

Vitin e kaluar pas komenteve që një anëtar bëri në lidhje me Luftën Koreane, pati thirrje për të bojkotuar bandën Koreane –jugore BTS në Kinë. Vërejtjet e tij zemëruan përdoruesit kinezë të mediEve sociale, pasi Pekini mbështeti Veriun në luftë.
Ndërkohë, këngëtarja amerikane Lady Gaga është e ndaluar të vizitojë Kinën, pas takimit të saj me udhëheqësin shpirtëror tibetian, Dalai Lama në 2016. Ky takim kishte mërzitur zyrtarët kinezë të cilët mendojnë se ai është një figurë për separatizmin tibetian.
Publiku kinez gjithashtu nuk e pa intervistën e Justin Bieber. Ylli kanadez i pop-it është i ndaluar të interpretojë në Kinë për "sjellje të keqe".
