Strasburgu dënon Italinë, shkeli të drejtat e një viktime përdhunimi

"Ky proces gjyqësor fyen gratë."

Ky është vendimi me të cilin Gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg dënon Italinë për një drejtësi paragjykuese e konsiderimeve ofenduese të marra nga Gjykata e Apelit të Firenzes, e cila ka lënë të lirë 6 djem të akuzuar për dhunë seksuale në grup ndaj një vajze.

Ngjarja i përket vitit 2015 e njohur mediatiksiht si "dhunimi i kështjellës", e i referohet aktit të dhunshëm seksual që 6 djem kanë kryer ndaj një mikes së tyre, pas një mbrëmje të kaluar nën efektin e alkoolit.

Për Gjykatën e Apelit të Firenzes, me një trup gjykues përbërë nga tre gjykatës, dy prej të cilëve gra, kjo ngjarje nuk qe një dhunim seksual por akt seksual "penalisht jo i censurueshëm".

Pas vendimit të Apelit, avokatët e vajzës së dhunuar kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Strasburgut e cila pak orë më parë ka dhënë vendimin e ka dënuar Italinë për një proces gjyqësor paragjykues e fyes ndaj viktimës.

Gjykatësit e Strasburgut kanë analizuar, dosjen e procesit gjyqësor të Gjykatës së Apelit të Firenzes ku kanë gjetur komente të pajustifikueshme me një gjuhë e argumente që paragjykojnë rolin e grave në shoqërinë italiane e që dhunojnë jetën intime e private të viktimës.

Për Gjykatën e Strasburgut, mjaft analiza të bëra në këtë proces nuk i shërbejnë zbardhjes së të vërtetës, e nuk i shërbejnë zgjidhjes së rastit, siç është për shembull referimi ndaj veshjes intime që vajza kishte në trup ditën e dhunimit, apo mbi biseksualitetin e saj.

"Jashtë kontekstit e aludime të panevojshme për jetën private të viktimës",  shkruajnë gjykatësit e Strszburgut.

Duke kujtuar Kushtetutën italiane e traktatet ndërkombëtare mbi këtë temë, Gjykata Europiane i ka kërkuar Italisë të mbrojë jetën private e imazhin e personave të përfshirë në procese gjyqësore si dhe e quan thelbësore që autoritetet gjyqësore të shmangin riprodhimin e steriotipeve seksiste e minimizimin e dhunës gjinore, si dhe ekspozimin ndaj një viktimizmi të dytë, duke përdorur argumente moralizuese që dekurajojnë besimin e  viktimave tek drejtësia.

"Vendimi i Gjykatës së Strasburgut i jep drejtësi të gjitha grave", është komenti i bërë nga avokatët e vajzës së dhunuar në Firenze, për të mos u ndjerë viktima për herë të dytë e për të mos humbur guximin për të denoncuar."