"Frenat u çaktivizuan qëllimisht", dalin detaje të reja për tragjedinë e teleferikut me 14 viktima në Itali
Policia italiane ka zbuluar detaje të reja për tre të arrestuarit si të dyshuarit kryesorë për aksidentin e ndodhur në teleferik ku humbën jetën 14 persona dhe shpëtoi vetëm një 5 vjeç.
Mediet italiane bëjnë me dije se aksidenti mund të cilësohet si një ngjarje kriminale, pasi dyshohet se tre të arrestuarit kanë bllokuar me qëllim frenat e urgjencës për arsye ekonomike dhe në shpërfillje absolute të rregullave themelore të sigurisë.
Në një prononcim për mediat shefi i shërbimit të teleferikut Mottarone, Gabriele Tadini, ka pohuar se frenat e emergjencës ishin çaktivizuar qëllimisht.
Ai është shprehur se sistemi i frenave të emergjencës kishte dalë jashtë funksionit duke shkaktuar kështu rrëzimin tragjik ku humbën jetën 14 persona.
Magjistratët e prokurorëve të Verbania nënvizojnë "sjelljen e pamatur" që "shkaktoi" "vdekjen e 14 njerëzve dhe shkaktoi dëmtime shumë të rënda tek një fëmijë 5 vjeç" .
Prokurorët vërejnë se "në rast të njohjes së konstatuar" të përgjegjësive, dënimi me burg do të ishte "shumë i lartë".
"Ne kemi marrë të gjitha provat, madje edhe kutinë e zezë," tha kapiteni Luca Geminale, komandant i kompanisë së karabinierëve të Verbania i cili ka punuar në fushë që nga e diela për të hetuar aksidentin në Mottarone.
