Fati i negociatave në dorë të Bullgarisë, Rama: Shqipëria i ka bërë detyrat

Fati i negociatave të Shqipërisë me BE duket se do të varet nga zgjidhja e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kryeministri Rama duke folur për mediat pas takimit me Ministrin gjerman  të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta lidhur me këtë proces.

Rama: Vizita vjen në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimmarrje të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Vertiut. Më vjen shumë mirë që sot nuk janë vetëm ata që e thoshin edhe dje por janë të gjithë që mendojnë se Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat.Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare është thjesht dhe vetëm çështje e brendshme e Këshillit Europian në një moment ku përtej faktit që duket se ka një prirje më pozitive se asnjëherë tjetër së brendshmi BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth që lidhet me ngërçin e  krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë, duke miratuar kornizën negociuese dhe duke thirrur konferencën e parë ndërqevirate. A do të ndodhë kështu apo jo nuk e dimë, do të varet sa do të arrihet të zgjidhet ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sa Bullgaria do të jetë e gatshme të heqë barrikadën këtij procesi në një forum ku pa konsensus nuk merr dot asnjë vendim.

Sidoqoftë, Rama tha se sot Shqipëria ka një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet, posaçërisht nga Gjermania për të ecur më tutje.

Rama: Dua të bëj një falenderim publik për të gjithë mbështetjen në terësi që kemi pasur nga Gjermania, qeveria gjermane, parlamenti gjerman dhe nga miq jo të paktët në këto instanca të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Uroj shumë që në këtë sezon të kemi sa më shumë turistë nga Gjermania për të ardhur për pushime. Meqë ra fjala sot nuk ka më maska në Shqipëri.