Dosjet e prokurorëve në sirtar, Çela kërkon informacion: Ndëshkim për ata që mbajnë çështjet

Prokurorët mbajnë dosjet në sirtar dhe nuk bashkëpunojnë. Policia nuk bashkëvepron me akuzën. Këto ishin disa nga pikat e debatit në KLP ku raportoi për herë të parë kryeprokurori Olsian Çela. Duke kërkuar respektimin e institucioneve, kreu i akuzës kërkoi dhe ndëshkimin e prokurorëve që nuk bëjnë detyrën.

Raportimi i parë i kryeprokurorit, Olsian Çela, në KLP nuk ka kaluar pa debate. Në fjalën e tij përfaqësuesi i lartë i akuzës kërkoi masa për ata që i kanë lënë dosjet në harresë qëllimisht.

"Duhet të jemi efektiv, duhet të jemi të shpejtë, duhet të marrim masa. Ky Këshill me Prokurorinë e Përgjithshme mund të bëjnë gjëra shumë të mira, mund të bëjnë drejtuesit e prokurorive, prokurorët të përgjegjshëm në kohë reale, jo duke i zvarritur proceset në hallkat burokratike".

Vërejtje Çela ka pasur dhe për komandimet e prokurorëve në rrethe, teksa ka shtuar se duhet më shumë bashkëpunim mes institucioneve.

Sipas tij në situatën aktuale nuk ka asnjë informacion si po ushtrohet detyra e drejtuesve të Prokurorive.

"Nëse ne do të operojmë mbi bazën e 28 vullneteve, të cilët nuk përgjigjen askund për performancën e institucioneve që ata drejtojnë ose nëse përgjigjen, përgjigjen vetëm përmes vlerësimit invidual që mund të bëhet njëherë në ca vjet, do të thotë që për një periudhë të caktuar kohe ne nuk kemi llogaridhënie, nuk sigurohet llogaridhënia për mënyrën si performojnë drejtuesit."

Por në përgjigje të tij ka reaguar kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili shton se drejtësia e pavarur ka nisur të funksionojë.

"Ka ardhur në përfundimin se sot gjyqtarët dhe prokurorët janë krejt njëlloj, nuk kanë asnjë dallim përveç pozicionit që zënë në sallën e gjyqit."

Shqetësim për Ibrahimin vazhdon të mbetet bashkëpunimi me policinë.

"Raporti me policinë, kam 20 vjet që dëgjoj të njëjtin refren: Prokuroria nuk arrin të bashkëpunojë me policinë e shtetit në hetim. Anekdodat që dëgjojmë lart e poshtë janë qesharake".

Pas reformës në drejtësi, ky është raporti i parë që paraqitet në KLP prej Kryeprokurorit.