Manastirliu: Mbyllen spitalet rajonale Covid në rrethe

Ulja e infektimeve me koronavirus në vend ka bërë që ministria e Shëndetësisë të vendosë mbylljen e pavijoneve covid në spitalet rajonale.

Elbasani është i pari.

Rastet që do të kenë nevojë për hospitalizim nga rrethet, sipas ministres Ogerta Manastirliu do të dërgohen në spitalin Covid 1 në kryeqytet.

"Kthehemi në skenarin e parë. Mbyllja e pavioneve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale. Flasim këtu për spitalin rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar, "tha Manastirli.

Përmirësimi i situatës epidemiologjike  do të sjellë lehtësim të masave që do të komunikohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

"Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar," tha ajo.

Ende nuk ka një vendim përfundimtar, por tre janë skenarët e lëvizjes për pushime jashtë vendit këtë verë.

"Deri tani vendet e BE-së nuk kanë marrë një vendim nëse do të jetë e detyrueshme vetëm pasaporta e vaksinimit, apo do të jetë dhe komponentët e tjerë që kanë lidhje me testin apo vërtetimin që e ke kaluar Covid, pra qëndrojnë të treja opsionet momentalisht," tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë hapi 8 Spitale Covid, tre në kryeqytet dhe 5 të tjerët, në Elbasan, Korçë, Vlorë, Durrës, e Shkodër të cilët tashmë do të mbyllen.