Asnjë hap në pastrimin e parave, Raporti i MONEYVAL: Në Shqipëri fenomen shqetësues
Pastrimi i parave në Shqipëri vijon të jetë fenomen shqetësues. Kjo është evidentuar edhe në një raport të fundit të Money val në të cilin theksohet se “Shqipëria nuk ka përmirësuar ndjeshëm masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF.
Raporti tregon se vetëm disa prej rekomandimeve janë zbatuar, por që janë të pamjaftueshme.
“MONEYVAL ka ekzaminuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi.
Ai zbuloi se vetëm disa hapa pozitivë ishin ndërmarrë nga autoritetet në lidhje me sanksionet e synuara financiare, të cilat nxitën që vlerësimi për Rekomandimin 6 të FATF të ndryshonte nga "jo i pajtueshëm" në "pjesërisht i pajtueshëm", citon raporti.
Raporti pasues gjithashtu përfshiu zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale më të shquara (Bitcoin, Ethereum, etj.)
Dhe sipas raportit, vlerësimi i Shqipërisë për zbatimin e këtij Rekomandimi është ulur nga "kryesisht i pajtueshëm" në "pjesërisht i pajtueshëm". Vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara.
MONEYVAL ka vendosur që Shqipëria duhet të mbetet në procedurën e zgjeruar të ndjekjes dhe të raportojë për përparimin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e saj të masave në bazë vjetore.
Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit - MONEYVAL është një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën për të bërë rekomandime për autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.
