"Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet", Soreca: Zgjedhjet ishin testi për hapjen e negociatave

Ambasadori i BE në vendin tonë Soreca ashtu si në rastin e “Non Gratta” të ish presidentit Sali Berisha, nuk ka pasur koment për kërkesën e djeshme të komisionit parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta për ta sjellë këtë të fundit me forcë për të dëshmuar.

Pyetjes për këtë zhvillim nga ana e maxhorancës, zoti Soreca i është përgjigjur  "se këto janë çështje që i takojnë punëve të brendshme të Shqipërisë. "

Ndërkaq nuk ka ngurruar të vlerësojë zgjedhjet e 25 prillit si proces.

Madje ai eci edhe më tej duke thënë se janë pikërisht këto zgjedhje që përmbushën kushtet e çeljes së negociatave që priten së shpejti nga KE.

Për zotin Soreca edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR është vlerësuar procesi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve.

"Siç e dini, ne e kemi ndërmarrë këtë udhëtim nëpër të gjithë Shqipërinë dhe të kalonim në Përmet ishte domosdoshmëri. Turneu ka për synim që të tregojë shqiptarëve  se çfarë ka bërë dhe çfarë do të vijojë të bëjë BE dhe shtetet anëtare në Shqipëri. Mendoj se Përmeti është shembulli më i mirë i kësaj pune. Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, prandaj dhe motoja jonë është "Evropa është këtu." Ju ndoshta më keni dëgjuar që unë kam thënë se përsa i përket BE-së ne mendojmë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Unë jam shumë optimist që kjo do të ndodhë se shpejti dhe ne mendojmë që ka ardhur koha që ky të merret. Ne mendojmë që BE nuk është e plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Raporti paraprak i OSBE foli qartë për zgjedhjet dhe tha që dita e zgjedhjeve kishte ecur në mënyrë të rregullt, kështu  që për sa i përket testit në vetvete testi për ne ishte se si do të shkonin gjërat atë ditë," u shpreh Soreca.

Nuk do t'i përgjigjem dhe nuk do të jap koment për këtë çështje të brendshme të Shqipërisë," tha Soreca kur u pyet për deklaratat e djeshme që Presidenti duhet të thirret me dhunë në Komisionin hetimor.

Këto komente politike Soreca i ka bërë nga Përmeti nga ku ndodhej në kuadër të turit një javor që ka ndërmarrë në të gjithë vendin në kuadër të “Javës së Europës”.

Itinerarin e takimeve Soreca e ka nisur mesditën e sotme me një takim me kryebashkiaken e Përmetit Alma Hoxha nga ku është njohur me projektet e financuara nga BE në këtë qytet.

Kryebashkiakja Hoxha me këtë rast veçse ka vlerësuar Sorecën, i ka dhënë edhe çelësat e qytetit si dhuratë të parë që ka ndërmarrë kjo bashki.

"Kjo është dhurata e parë që unë i dhuroj një ambasadori, çelësin e qytetit," u shpreh kryebashkiakja.

"E pranoj me shumnë përulësi këtë dhuratë simbolike që më dhatë dhe e pranoj në emër të të gjithë kolegëve të mi," tha Soreca.

Në takimet e sotme në Përmet, ambasadori i BE në vendin tonë ka inspektuar edhe panairin me punime të të rinjve vendas, produkte artizanale.

Soreca shoqërohej nga ambasadorja e Greqisë Eleni Filipidhu, përfaqësues të Ambasadës Italiane në Tiranë, si dhe ambasadori shqiptar të BE Zef Mazi.