Bilanci tragjik i aksidenteve rrugore/ 70 viktima në 4 muaj, i fundit një adoleshent 16 vjeçar
Aksidentet vijojnë të shkaktojnë viktima në rrugët e vendit.
Një 16 vjeçar i vdekur dhe një 18 vjeçar i plagosur është bilanci tragjik i një aksidenti në rrugën Fier-Ballsh mbrëmjen e së hënës, 24 maj.
A. H., 16 vjeç dhe L. A.,18 vjeç, të dy banues në Belishovë, po udhëtonin me një motor teksa janë përplasur me një mjet tip Ford, të cilin e drejtonte 34-vjeçari E.S.
Përplasja ka rezultuar fatale për 16 vjeçarin duke i marrë jetën, ndërsa shoku i tij ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Drejtuesi i mjetit tip ford është shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk dihet detajet e plota të aksidentit që ndodhi pak minuta pasi në vend kishte hyrë ora policore.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT aksidentet rrugore kanë shkaktuar 70 viktima vetëm në 4 muajt e parë të vitit, ose 21 viktima më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas po të njëjtit burim, në 4 mujorin e parë të 2021 janë shkaktuar 427 aksidente, një rritje prej 35.6 për qind në krahasim me një vit më parë.
