Firmoset marrëveshja, Kroacia i dhuron Kosovës 10 mijë vaksina anticovid

Kroacia do e ndihmojë Kosovën me 10 mijë vaksina kundër Covid-19.

Ministria kosovare e Shëndetësisë njoftoi se marrëveshja u nënshkrua të hënën me ambasadoren kroate në vend, Danijela Barishiq.

Nuk bëhet e ditur data kur do të mbërrijnë dozat e para dhe as marka e tyre.

Në Kosovë vijon procesi i vaksinimit për personat mbi 65 vjeç, me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Europian.

Më shumë se 55 mijë qytetarë janë imunizuar si pjesë e një procesi të ndara në tri faza: në të parën, punonjësit shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe të sëmurët kronikë; në fazën e dytë moshat 65-79 vjeç, arsimtarët dhe forcat e rendit; dhe faza e tretë, pjesa tjetër e popullsisë.

Kosova regjistroi të hënën një tjetër viktimë prej pandemisë dhe 14 raste të reja pozitive me koronavirusin e ri.

Që prej marsit 2020, vendi ka regjistruar në total mbi 100 mijë të infektuar dhe 2,240 raste fatale.