"Kurti, rekrut i shërbimeve serbe?" Haradinaj e pyet për arrestimin e dikurshëm nga forcat serbe
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dyshon se pasardhësi i tij, Albin Kurti, mund të jetë rekrutuar dikur nga shërbimet serbe, në kohën kur protestonte si i ri kundër regjimit. Deklarata në parlament vjen pasi Kurti akuzoi klasën e vjetër politike të rajonit se e ka mbajtur peng zhvillimin e Ballkanit.
E enjtja prodhoi të tjera shkëmbime të ashpra në parlamentin e Kosovës. Protagonistë u bënë kryeministri Albin Kurti dhe paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj.
Arsyeja ishte një deklaratë e fundit e Kurtit, që në Prishtinë u interpretua se kishte për objektiv ish-liderët e vendit që dikur luftonin me UÇK-në.
Një nga ish-komandantët e UÇK-së dhe tani kryetar i AAK-së, Haradinaj, lëshoi provokimin e vet ndaj Kurtit, duke e etiketuar si rekrut serb.
Haradinaj: Kam dy pyetje për kryeministrin, e para është a je i rekrutuar prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa je mbajtur në burg? Pra a mban Serbia diçka mbi ty, me të cilën të mban peng sot e kësaj dite. A është më në rrezik Kosova prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg. Apo nga çlirimtaret të cilët janë detyruar me mbajt pushkën në dorë, me luftuar për lirinë e vendit. Duhesh të deklarohesh një herë, sepse qarkullojnë gjatë këto. Konjufca: Zotëri Haradinaj kujdes fjalorin parlamentar[...]Mbahesh peng i shërbimeve serbe.
Edhe PDK-ja e ish-presidentit Hashim Thaçi e kritikoi deklaratën si skandaloze, me reagimin e shefit të grupit parlamentar, Abelard Tahiri.
Tahiri: Në këto forume e darka logjika e thotë se do të duhej të flitej për situatën aktuale pandemike dhe për sfidat konkrete që i ka Kosova dhe rajoni jonë. Por, meqë nuk publikohet ajo çka flitet brenda rëndësi ka ajo çka deklarohet jashtë. Dhe deklarimet e kryeministrit tonë jashtë darkës në një deklaratë për media më mirë mos te kishim dëgjuar fare. Nga kjo deklaratë e kryeministrit në shoqërinë Bërnabiqit doli diçka që shkon përtej imagjinatës e gjithë secilit qytetarë të Republikës tonë. Një deklaratë e skandaloze e kryeministrit Kurti që fatkeqësisht i hedh pluhur të vërtetës tonë historike si komb si popull, dhe si shtet. Ku sipas kryeministrit tonë integrimi i Ballkanit perëndimor në BE shpjegohet si proces me faza dhe faza e fundit prej të cilave qenka eliminimi nga skena politike e institucionale të kriminelëve të luftës nga vendet e Ballkanit perëndimor. Pra, botërisht është e ditur se kush është krimineli dhe kush është viktima në Ballkanin perëndimor.
Deputeti, Fadil Nura, i PDK-së riktheu në kujtesë edhe denoncimin e kryeministrit Kurti për një marrëveshje sekrete mes Kosovës dhe NATO-s që ushtria kosovare të mos patrullojë në zonat veriore të vendit me shumicë serbe.
Kurti tha se nuk është penduar, por as nuk ka mundur ta zbërthejë më tej si çështje.
Nura: Këtë marrëveshje e kualifikuat si marrëveshje të fshehtë, sekrete jashtëzakonisht të dëmshme dhe anti-kushtetuese, akuzuat presidentin Thaçi si nënshkrues të asaj marrëveshje, duke konsideruar si shkelje të rëndë kushtetuese deri në elementet e tradhtisë kombëtare. Këtë a e adresuat zyrtarisht në prokurorinë e shtetit e në kuvendin e Kosovës. Pyetje kryeministër, tani pas një viti u realizuar një takim në Bruksel përkatësisht me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, a e adresuar shqetësimin tuaj për këtë marrëveshje të ashtuquajtur të fshehur dhe të 19 prill 2019 dhe cili është qëndrimi juaj sot për këtë marrëveshje.
Kurti: Kjo është një marrëveshje e dëmshme dhe është një fakt që e kemi trashëguar si shumë fakte të tjera të mëhershme, por nuk mund ta rregulloj një të keqe të madhe me një takim të vetëm të parë. Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës marrëveshje me ish-kryeministrin e Serbisë në Bruksel me 15 pika, 6 prej të cilave i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe përkatësisht ‘Zajdenicës’, pra aty janë rrënjët e së keqes. Por unë jam çuditur kur kam parë që nuk ka qenë vetëm një marrëveshje, por kanë qenë dy, njëra që u bë publike në BE dhe tjetra që s’u bë publike me NATO-n dhe e cila kurrë nuk është sjellë as si informatë në Kuvend, aq më pak të ratifikohet tek ne.
Seanca plenare e së enjtes trajtoi edhe tema të politikës së jashtme, mes tyre lirimin nga detyra të gjithë ambasadorëve të Kosovës të emëruar politikisht jashtë vendit.

