Ish-kryespiuni i Maqedonisë mbetet në burg, gjykata refuzon garancinë 11 mln euro për lirimin e Sasho Mijallkov

Sasho Mijallkov mbetet në paraburgim në burgun e Shutkës, shkruan Alsat. Gjykata Themelore Penale njofton se Këshilli Gjyqësor ka vendosur që të refuzojë rekomandimin e Prokurorisë për mbrojtje në liri të ish-shefit të policisë sekrete Sasho Mijallkov për rastin “Thesari”.

Sasho Mijallkov i ofroi pothuajse 11 milion euro garanci për lirimin nga paragurgimi Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, shifra më e madhe e ofruar ndonjëherë.

Prokuroria Speciale e pranoi këtë garanci.

"Duke vlerësuar rrethanat dhe duke pasur parasysh pretendimet në propozim dhe ndryshimet për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me një masë lirimi, prokuroria vlerësoi se shuma e kushtit të ofruar në propozimet e paraqitura në shumën totale prej 10,871,170.00 euro është e pranueshme për prokurorinë, duke siguruar praninë e të pandehurit derisa vendimi të bëhet përfundimtar", u përgjigj Prokuroria. 

Ish-kreu i policisë sekrete (DSK), Sasho Mijallkov, është dënuar me 20 vite burg për dy çështje por vendimi nuk është përfundimtar pasi vijon procesi gjyqësor në Apel.