Vijojnë aludimet për vrasjen që tronditi Greqinë, autori mund të mos jetë shqiptar
Teksa hetimet për zbulimin e autorit, i cili vrau nënën 20 vjeçare një javë më parë në Athinë, vazhdojnë, aludimet rreth origjinës së autorit të vrasjes janë kontradiktore.
Kjo reflektohet nga shkrimet që kanë bërë mediat greke.
Sipas gazetës Proto Thema, autori që dyshohet se ka vrarë nënën 20 vjeçare është shtetas gjeorgjian, i cili u arrestua nga policia greke, në kufirin e Greqisë me Turqinë në përpjeke për tu larguar nga shteti helen.
Gazeta shkruan se sipas burimeve policore, shtetasi gjeorgjian ka sulmuar një çift të moshuarish në shtëpinë e të moshuarve, më 7 mars.
Zougla.gr raporton se gjeorgjiani është 43 vjeç dhe se bashkëshorti i 20 vjeçares së vrarë nuk e identifikoi dot zërin e tij. Bashkëshorti i 20 vjeçares ka dëshmuar se dëgjoi zërin e një prej autorëve dhe se autori po fliste gjuhë të huaj.
Nga ana tjetër media greke "Espresso" raporton se sipas burimeve ekskluzive autori i vrasjes është kriminel i njohur shqiptar, i cili është dënuar më parë për vrasje në tentativë, grabitje dhe një mori krimesh të tjera.
Deri më tani nuk ka dalë asnjë deklaratë konkrete nga ana e policisë për autorët e vrasjes së nënës 20 vjeçare.
Megjithatë aludimet janë të shumta dhe kontradiktore. Ajo që është e sigurt është se njëri prej autorëve është i huaj, pasi bashkëshorti i të ndjerës kishte dëgjuar natën e vrasjes njërin prej tyre duke folur gjuhë të huaj dhe jo greqisht.
Mbetet për tu parë nëse njëri prej autorëve është gjeorgjian, shqiptar apo i përket një kombësie tjetër.


