Veprimtari kriminale në Durrës, Lushnjë dhe Tiranë, policia jep detaje nga arrestimi i djalit dhe nipit të Saimir Taullaut

Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që ushtronte veprimtari në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, në kuadër të operacionit "Trinomi" u vunë në pranga 2 nga pjesëtarët e grupit, ndërsa bashkëpunëtori i tyre u shpall në kërkim, pasi nuk ndodhej në banesë gjatë kontrollit nga policia.

Grupi e ushtronte këtë veprimtari kriminale në Durrës, Lushnjë dhe Tiranë.

Në vitin 2020, në nisjen e operacionit u arrestuan në flagrancë edhe 2 prej pjestarëve të tjerë të këtij grupi.

Në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria Durrës, në ngarkim të dy shtetasve të tjerë: Klajdi Toullau, 26 vjeç dhe Sajmojen Taullau, 20 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit L. S., banues në Lushnjë.

Policia bën me dije se në vitin 2020, janë vënë në pranga shtetasit M. R. dhe J.B., banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur " Mbikalimi i Plepave", gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin M. R. dhe pasagjer shtetasin J. B., në bagazh është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Nga hetimet disa mujore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike me klientë të ndryshëm në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Lushnjës.

Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.