Ndërtime pa leje, arrestohet kryeinspektori dhe inspektori i Territorit të Himarës, 2 në kërkim
Kryeinspektori dhe një inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë janë arrestuar pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve
Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy inspektorë të tjerë.
”Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë” informoi sot policia e Vlorës.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës”.
Të arrestuarit sipas policisë së Vlorës janë identifikuar me inicialet: R. H., 35 vjeç dhe E. Z., 30 vjeç, të dy banues në Himarë.
Në kërkim janë M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë.

