Panik te Roma, i ati i sulmuesit “kërcënon” me shufër hekuri lojtarët

Një episod i denjë për filma ose për vende ndoshta afrikane ka ndodhur në Itali, në kryeqytet. Siç bëhet publike vetëm sot, i ati i sulmuesit Gianluca Scamacca ka hyrë në qendrën stërvitore të Romës i “armatosur” me një shufër hekuri duke kërcënuar të pranishmit.

Sipas njoftimit të bërë, Emiliano Scamacca, pasditen e të Hënës është future në Trigoria dhe me një shufër në dorë fillimisht ka kërcënuar dhe frikësuar lojtarët e sektorit për të rinj të Romës që po stërviteshin aty ndërsa më pas ka shkuar në parkimin e qendrës dhe ka dëmtuar disa makina, njëra prej tyre e Shefit Ekzekutiv të Klubit, Tiago Pinto.

Menjëherë, autori është izoluar nga forcat e sigurisë së klubit dhe më pas ka mbërritur policia që ka arrestuar të atin e sulmuesit të Genoas. Scamaca aktualisht luan me Genoan në formë huazimi pasi kartoni i tij zotërohet nga Sassuolo dhe me një fanellë të verdhezinjve Emiliano ka hyrë në Trigoria ku ka shkaktuar panik të madh.

Ende nuk dihet shkaku i kësaj ngjarjeje aspak normale për një nivel të tillë si Italia apo ekipi i Romës.