Rama me mesuesit, premton rritje të pagës me 40% gjatë mandatit të tretë
Atë që nuk e bëri gjatë fushatës, kryeministri po e bën pas zgjedhjeve.
Gjatë takimeve të fundit me punonjës së profesioneve të ndryshëm, Edi Rama ka shpalosur programin e qeverisë së tij në katër vitet e ardhshme.
Mësueseve iu premtoi të mërkurën se pagat e tyre do të rriten me 40%.
"Nuk mjafton, por sidoqoftë ma ha mendja që rritja e pagave 40% është një rritje e konsiderueshme. Dëshmon se vëmendja jonë dhe predispozita për të qenë pranë jush është në nivelin më të lartë," u shpreh Rama.
Pakënaqësi kishte për menaxhimin e institucioneve arsimore nga drejtuesit.
Ai tha se drejtorët nuk janë në lartësinë e duhur.
"Nëse mësuesit sot zgjidhen absolutisht pas meritës, drejtorët jo. Këtu është përgjegjësi e ministres, është përgjegjësi e drejtorit të përgjithshëm të arsimit parauniversitar të bëjnë detyrën e tyre të që mos lejojnë që drejtorët dhe nën-drejtorët e shkollave të jenë nomenklaturë e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive," tha Rama.
Shkollat tha kryeministri do të fokusohen edhe në edukimin e nxënësve në fushën e teknologjisë teksa njoftoi se gjuha angleze do të futet si lëndë që në klasë të parë.
"Shqipja dhe anglishtja duhet të jenë dy gjuhë të cilat ambicia jonë duhet të jetë që në fund të një procesi mësimi vitesh të caktuara fëmijët e Shqipërisë të mund t'i përdorin më së miri për nevojat e tyre," tha Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi mirëkuptimin e mësuesve për vështirësitë që hasin gjatë ushtrimit të profesionit teksa u shpreh se ka ende shkolla që duhen rindërtuar pasi nuk ofrojnë kushtet e duhura për nxënësit dhe arsimtarët.
