"Kur u zgjova nga koma nuk mund të flisja dhe të lëvizja", historia e mjekes që arriti të shërohej nga Covid falë një "mrekullie"

Një mjeke 41-vjeçare e cilëson si "mrekulli" zgjimin pas 2 muajsh koma nga infektimi me Covid.

Dr Anushua Gupta, nga Cheshire, tha se ajo i dha  lamtumirën e fundit familjes së saj para se të induktohej në koma kur gjendja e saj u përkeqësua.

Ajo tha se trajtimi i shpëtoi jetën, por rruga e saj për shërimin kishte qenë e vështirë.

Dr Gupta tha se njerëzit "duhet të merrnin seriozisht" rreziqet e variantit indian .

Tre ditë pasi u pranua në Spitalin Wythenshaëe më 1 prill 2020, Dr Gupta u transferua në kujdesin intensiv për ventilim.

"Frika ime më e keqe po bëhej realitet", tha ajo.

"Unë telefonova burrin tim Ankur dhe kërkova të shoh vajzën tonë Ariana - vetëm 18 muajshe në atë kohë."

"Brenda vetes mendoja se nuk do ta shoh dot vajzën time, nuk do të jem në gjendje ta shoh tërë jetën e saj të rritur, nuk do të jem në gjendje të jetoj jetën time me burrin tim. Ishte e tmerrshme."

Ajo tha: "Burrit tim iu kërkua të vinte për të diskutuar trajtimin e mëtejshëm, sepse unë thjesht nuk po bëja shumë përparim."

Mjekja e Përgjithshëme ishte një nga pacientët e parë në Mbretërinë e Bashkuar që u trajtua  për koronavirus me oksigjenim, pajisje e cila merr përsipër funksionin e mushkërive dhe shihet si një mundësi e fundit.

Pas disa ditësh, Dr Gupta filloi të bënte përmirësime, të cilat mjekët i cilësuan një "mrekulli".

"Kur u zgjova nga koma e kuptova që nuk kisha zë. Nuk mund të flisja, nuk mund të gëlltisja, nuk mund të lëvizja krahët, këmbët e mia. Ndihesha sikur isha e paralizuar," tha ajo .

Mjekja e Përgjithshme tha se "rikuperimi i saj nuk është i plotë" dhe shtoi se ndihet sikur tani vazhdon të ketë simptoma të përshkruara si  Long Covid, raporton BBC.

"Tani thjesht e vlerësoj jetën në një mënyrë krejt tjetër. Çdo ditë është një bekim," tha ajo.