Ekstradohen nga Italia, njëri i dënuar për vrasje e tjetri për mashtrim
Dy të dënuar, njëri për vrasje e tjetri për mashtrim, u ekstraduan sot nga Italia drejt vendit tonë.
Interpol Tirana ekstradoi nga Roma shtetasin shqiptar Ardjan Hoxhaj, 49 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 16 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur në 1995 në Vlorë. Shtetasi Ardjan Hoxhaj ka vrarë duke e goditur me thikë në kraharor shtetasin A. A. dhe ka plagosur vëllanë e tij, shtetasin G. A.
Gjithashtu është kryer ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Arian Katreli, 50 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 10 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Personat e ekstraduar në PKK Rinas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

