I marrin truallin për rindërtim/Lame: Bashkia e Tiranes nuk më ka lajmëruar

Mehdi Lame nga Zall-Herri i bën thirrje bashkisë Tiranë që të gjejë një kompromis për zënien e hapësirës së truallit të tij ku do të ndërtohen shtëpi për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai thotë se në rrugë zyrtare s'ka marrë asnjë njoftim edhe pse IMT ka inspektuar zonën

Ky është Mehdi  Lame, një nga trashëgimtarët e një prone ku Bashkia Tiranë ka vendosur të ndërtojë shtëpitë për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Për Ora News ai tregon se vendimin e ka mësuar jo zyrtarisht.

"Absolutisht asnjë lloj gjëje zyrtare.Në shtator të vitit 2020, vjen një firmë dhe pronari i firmës ka thënë se ka fituar tender."

Pas kësaj Ora News u interesua dhe në njësinë administrative Zall-Herr por as kjo e fundit u shpreh se nuk janë në dijeni, kjo edhe pse IMT këtë të martë inspektoi terrenin.

Thotë se ka bërë një ankesë në bashkinë Tiranë por ende nuk ka marrë përgjigje, ndërsa çështjen e ka çuar në Gjykatën Administrative.

"Sot erdhën disa persona, i kishte sjell Inspektoriati i Bashkisë për mbrojtjen e territorit, dhe u habitën kur morën vesh që nuk ishim të lajmëruar."

Kërkon një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës që të mund të arrijnë një marrëveshje.

"Merre 10 dynym, s’duam asnjë lekë, por të paktën të na lërë një pjesë të jetojmë."

Kjo tabelë në mes të Zall-Herrit tregon projektin e ndërtimit, por banorët shprehen se shtëpitë për të dëmtuarit nga tërmeti nuk do të jenë këtu, por në zonën  për të cilën Lame shpreh shqetësimin.