Rënia e frekuentimit të nxënësve në shkolla, Halili tregon arsyet: Mësuesit po rrezikojnë vendin e punës
Zv.presidenti i Sindikatës së Pavarur i Arsimit, Isa Halili, ka komentuar uljen e frekuentimit të nxënësve në shkolla.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, Halili shprehet se një nga arsyet që ka rënë numri i nxënësve në shkolla, është ulja e lindjeve dhe emigracioni i të rinjve.
“Kjo vjen për shkak të lindjeve të ulët dhe emigracionit në moshë të re. Pra disa vitesh kjo ishte ndjerë vetëm në zonat rurale ndërsa tani ka rënë frekuentimi edhe në qytete. Kjo është shqetësuese , pasi ulja e numrit të nxënësve, çon në pakësimin e vendeve të punës për mësuesit. “
Më tej, thekson se arsimi në vendin tonë nuk ka një vëmendje të veçantë nga qeveria, teksa ka treguar se çfarë duhet të bëjë kjo e fundit.
"Ndoshta qeverisjet tona duhet të mendojnë për stimulimin e çifteve të reja njekohësisht stimulojnë dhe ndërtimin e jetesës në Shqipëri. Ka një problem sepse arsimi në Shqipëri, vazhdon të jetë periferik, pra nuk ka një vëmendje kryesore nga qeveritë shqiptare. Dua të theksoj problematike është situata që në arsimimin parashkollor.
Duhet të merren masa dhe ne i kemi kërkuar Ministrisë që arsimin parashkollor ta kalojë në varësi të Ministrisë Arsimore dhe jo në varësi të pushtetit lokal."
I pyetur se si ka ndikuar pandemia tek mësuesit gjatë mësimit online, Halili, thekson se mësuesit e kanë bërë më së miri punën e tyre teksa shton se ata nuk kanë pasur mbështetjen e duhur financiare nga qeveria.
"Mësuesit mendoj se e kanë kryer më së miri këtë punë. Ne i kemi bërë thirrje Ministrisë që t’I mbështesë financiarisht, por nuk ishte e përgatitur për situatën. Duhet të shin ndjekur rrugë të tjera më gjithëpërfshirëse dhe konsultime me grupet e interesit dhe mësuesit. Ka pasur raste që është kaluar në mësim online në mënyrë të panevojshme.
Gjithsesi mësuesit kanë bërë të pamundurën. Normalisht cilësia ka rënë sepse ulet minutazhi i mësimit, por mësuesit kanë kaluar situatë të vështirë por nuk kanë gjetur mbështetjen financiare nga qeveria. "

