"Kaloi data 25 prill ", qytetarët në sheshin "Skënderbej: S'ka më doza vaksinash
Qytetarët janë paraqitur në sheshin Skënderbej ende pa u hapur qendra e vaksinimit për të marrë dozën e dytë.
Pas krijimit të radhëve një pjesë e tyre u lejuan të futen nën çadra, ndërsa të tjerë qëndruan në diell.
Të martën kishin shpresën se do e kryenin vaksinën, pavarësisht se i njoftuan se procesi do të mbyllej në mesditë.
"Kur i pyetëm ne na thanë është deri në orën 6, tani thonë deri në 12," thotë qytetarja.
Pas orës 12 çadrat e vaksinimit në sheshin "Skënderbej" u boshatisën. Qytetarët u dërguan në shtëpi dhe i njoftuan se dozat e vaksinës kineze kishin mbaruar.
Të revoltuar i bënë thirrje ministres së Shëndetësisë të zgjidhë sa më parë situatën.
"Na përzunë tani, ikni se deri në orën 12:00 shërbejmë. I bëj thirrje ministres së Shëndetësisë të verë dorë. Ndenjëm deri tani, lamë punën dhe ikni në shtëpi na thonë," tha qytetari.
"Po rrimë këtu 4-5 orë, u bë e treta ditë që po vijmë këtu," thotë një e moshuar.
Kjo nuk është hera e parë që kthehen në shtëpi pa marrë dozën e dytë, edhe më parë kanë pasur këtë fat.
"Nuk ka vaksina," thotë qytetarja.
"Surratin e vet ku e kanë, atje ku e kanë me libër shtëpie, kështu thuaji. Do më tepër?" shprehet qytetarja e revoltuar.
Disa qytetarë nuk hezitojnë ta lidhin këtë situatë edhe me zgjedhjet e 25 prillit.
"E mbajnë popullin deri tani edhe ikni në shtëpi thonë. Sepse kaloi data 25," thotë qytetari.
Pasi qendra u mbyll për dozën e dytë, mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve pati tensione.
Megjithëse Ora News i kërkoi njësisë vendore të shërbimit shëndetësor informacion për situatën, kjo e fundit zyrtarisht nuk dha asnjë koment, ndërsa jashtë kamerave përgënjeshtroi zërin e qytetarëve duke thënë se procesi po vijon normalisht.
