SPAK merr në dorë dosjen: Vrasja e Artan Santos vepër e një grupi të strukturuar kriminal
Prokuroria e posaçme SPAK, ka marrë në dorë dosjen e atentatit mafioz ndaj bankierit Artan Santo pasi Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se ngjarja është vepër e një grup të strukturuar kriminal.
Pas arritjes në këtë konkluzion Prokuroria e Tiranës ia ka kaluar dosjen për kompetencë Prokurorisë së Posaçme ndërkohë që vrasja e bankierit 58 vjeçar, ka mbetur e pazbardhur që prej 26 qershorit të vitit 2014.
Dosja në Prokurorinë e Tiranës u nda në dy pjesë; njëra që hetonte ekzekutorët dhe tjetra që kishte në fokus bizneset e viktimës Artan Santo .
Në atë kohë hetimi iu besua prokurorëve Adriatik Cama, i larguar nga vettingu dhe Elida Kaçkini, e cila tashmë ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme.
Për vrasjen e bankierit u hetua në 5 pista por prokurorët nuk mund të arrinin as te ekzekutori dhe as urdhëruesin, ndonëse për këtë ngjarje u organizuan disa operacione policore dhe u shoqëruan dy persona në Fushë Krujë.
Në lidhje me këtë dosje Prokuroria E Posaçme deri tani është shprehur e rezervuar në lidhje me provat e reja që mund te hedhin dritë mbi krimin.
Artan Santo, një nga bankierët më të njohur në Shqipëri, u ekzekutua në hyrje të bankës së nivelit të dytë ku ishte bashkëpronar dhe drejtor ekzekutiv.
58-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga dy persona me motor pak sekonda pasi kishte zbritur nga automjeti.
Motori i autorëve u fiksua nga kamerat e sigurisë teksa ndiqte makinën e biznesmenit nga zona e TVSH-së deri tek ish-blloku.
Policia ndoqi motorin e autorëve deri në zonën mes liqenit dhe komunës së Parisit por në këtë zonë mjeti i autorëve humbi gjurmët.
