Ulet numri i të diplomuarve në shkolla, eksperti: Shkak largimi i popullsisë dhe vështirësitë ekonomike


Sistemi arsimore po njeh në këto vite një rënie të të rinjve dhe fëmijëve që u drejtohen klasave për të marrë dije.

Për ekspertin e arsimit shkak nuk është vetëm emigrimi masiv, por edhe cilësia e mësimdhënies.

"Ne kemi së pari rënie të popullsisë që edhe mund të justifikohet për disa arsye globale. Së dyti ne kemi një largim ët popullatës. Që prej vitit 2009 nuk kemi një raport të mirëfilltë që të na tregojë sa braktisin shkollën, cila është përqindja dhe në cilat grupmosha. Mungesa ose varfëria ekonomike  padyshim që sjell mungesë arsimimi dhe nga ana tjetër siç ju thashë kjo mungesë arsimimi do trashëgojë varfërinë," tha eksperti.

Megjithatë shenjë pozitive është fakti se ka një kërkesë në rritje për arsimin profesional.

"Ne duhet të kishim 40% të nxënësve që mbaronin arsimin profesional. Pse? Jo sepse ne duhet t'i bëjmë ata të pasuksesshëm, por sepse një shkollim në kohë të shkurtët i nxjerr ata shumë herë më të suksesshëm. Pra një hidraulik që mbaron 2 vjet shkollë është më i kërkuar në treg sesa një jurist që ka kaluar një periudhë 12-vjeçare  dhe 5 vjeçare dhe i bie 17 vjet. Papritur ai mund ta gjejë veten jashtë interesave të tregut të punës," u shpreh ai.

Sipas INSTAT, vitin që lamë pas në shkolla dhe universitete u shënua një rënie e të diplomuarve me rreth 6%.

Fusha e preferuar për studentët që përfundojnë studimet janë biznesi, administrimi dhe ligjet duke bërë një të katërtën e totalit.