Zgjedhjet për kryetarin e PD-së, pasdite mblidhet Komisioni Zgjedhor për listat, Bozdo refuzon
Këtë të hënë pasdite do të mblidhet Komisioni Zgjedhor për kreun e Partisë Demokratike, për tu konstituuar dhe për të nisur punën për përgatitjen e procesit. Puna kryesore do të referohet tek listat e zgjedhësve ndërsa PD numëron rreth 70 mijë anëtarë aktiv.
Partia Demokratike liston rreth 100 mijë anëtarë të saj por numri i atyre që njihen si aktiv dhe që mund te kënë të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarit kap shifrën e rreth 70 mijë.
Komisioni Zgjedhor i miratuar nga kryesia e Partisë Demokratike dhe i ratifikuar në Këshillin Kombëtar, do të zhvillojë pasditen e së hënës mbledhjen e parë të konstituimit, ndërsa pa humbur kohë pritet diskutimi dhe nxjerrja e një udhëzimi për zgjedhjet e 13 qershorit.
Puna do të fokusohet krysisht tek lista e zgjedhësve. Nga momenti i hspjes së procesit, në selinë blu ende nuk është është regjistruar asnjë kandidat ndërsa afati i fundit është përcaktuar 22 maji.
Lulzim Basha, kërkon votëbesimin e antarësisë, ndërsa deri në këto momente sfidant ka vetëm anëtarin e Kryesisë, Fatbardh Kadilli.
Ai që njihet si “grupimi për PD-në”, i kryesuar nga ish-presidenti Bujar Nishani, pritet të mblidhet për të diskutuar nëqoftëse do të nxjerrin kandidat për të sfiduar Bashën apo jo.
Nishani pas mbledhjes së forumeve më të larta të PD-së, akuzat e tij kundër Bashës i çoi në një nivel më ta lartë.
“Për fatin e keq të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë, lidershipi aktual e posaçërisht L. Basha pasi dështuan ta ngrenë PD në parti të parë e fituese para 25 prillit tani nisën çmontimin e çdo vlere, trashëgimie pozitive, mundësie ringritje dhe transformimi qytetar të Partisë Demokratike ! Dje, L. Basha përtej retorikës tallëse e të gënjeshtërt ndaj demokratëve, konfirmoi se në shtator do të hyjë në Parlament, çka konfirmon kthimin e PD në një fasadë të masakrës elektorale”.
Procesi i hapjes së garës për kreun e PD-së u shoqërua me debate në mbledhjen e së dielës pasdite të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Debati është përqëndruar edhe te Komsioni Zgjedhor, ndërsa edhe pse u votua si anëtar në Kryesi, Enno Bozdo, ka refuzuar ta marrë këtë detyrë.
Në mbledhje ai ka kërkuar kohë për të vendosur nëqoftëse do ishte pjesë e këtij organi, ndërsa mesditën e të hënës ka kthyer përgjigje negative.


