Hetimi parlamentar për Metën, Presidenti nuk konfirmon praninë në seancën dëgjimore të 18 majit

Ndërsa Komisioni Hetimor kërkon praninë e Ilir Metës në seancën dëgjimore të 18 majit, Presidenti ka udhëtuar drejt Sllovenisë për të marrë pjesë në samitin e Brdo Brijunit. 9 deputetët janë njohur me deklaratat publike të Kreut të Shtetit të bëra në mediat vizive gjatë fushatës zgjedhore.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka konfirmuar praninë në seancën dëgjimore të 18 majit në Komisionin Hetimor.

Burime për Rtv Ora bëjnë më dije se kjo mungesë e Kreut të Shtetit lidhet me axhenden e tij në Slloveni, pasi do të marrë pjesë në samitin e Brdo Brijunit.

"Deri tani nuk ka asnjë konfirmim, por seancën e kemi caktuar, është seancë dëgjimore me presidentin nesër" tha Hyseni.

9 deputetët e Komisionit Hetimor janë njohur me deklaratat publike të presidentit të bëra në mediat vizive gjatë fushatës zgjedhore që sipas socialistëve ka shkelur rëndë Kushtetuten.

 “Do të ftoja secilin nga anëtarët që të njihet me gjithë volumin e pamjeve.Administrata teknike do të përpiqet që të përzgjedhi pamje që paraqesin raste të caktuara për të mos bërë përsëritje, pra aq sa është e mundur, për të mos dhënë të njëjtat deklarata pavarësisht se në media të ndryshme. Por e rëndësishmë është që për t’iu referuar të gjitha atyre që ngrihen në shqetësimin e 49 deputetëve apo të tjera që mund të vijnë nga institucionet” u shpreh Hyseni.

Braho pas shqetësimit shëndetësor që kishte në mbledhjen e mëparshme, në këtë mbledhje të Komisionit Hetimor ai kërkoi informacion nga Meta nëse ka  denoncuar shqetësimet e ngritura publikisht.

Ndërsa deputetit mjek Stojku i duhet më shumë informacion për veprimtarinë e Presidentit.

"Mënyra e dhënies së nënshtetësisë nga Presidenti, në objektin e hetimit të shtohet dhe kjo pikë."

"A i është drejtuar presidenti ndonjë organi shtetëror për ti paraqitur këto denoncime. Në dijeni time jo por kjo duhet hetuar."

Bashkia e Tiranës, AMA dhe Gjykata Kushtetuese i janë përgjigjur Komisionit Hetimor për t’i vënë në dispozicion informacionin e kërkuar.