Albin Kurti në Bruksel, darkë jo formale me palën serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu shmang këtë javë dialogut në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por të martën pritet të gjendet sërish përballë palës serbe.

Shefi i diplomacisë europiane, Xhozeb Borel, ka ftuar Kurtin bashkë me liderët e tjerë të rajonit në një takim dhe darkë joformale që ka në fokus përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre.

Zëdhënësi i qeverisë kosovare, Përparim Kryeziu, konfirmon se mund të diskutohet për lidhjet socio-ekonomike pas pandemisë, më tepër sesa për raportet Prishtinë-Beograd.

“Do të takohen të gjithë përfaqësuesit, përkatësisht liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj organizimi i shërben komunikimit dhe diskutimit ndërmjet të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbi ato që konsiderohet interesa dhe qëllime të përbashkëta. Ashtu edhe mundësi e mirë që zhvillojnë̈ edhe diskutimi mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Është forum shumë i mirë që të ketë diskutime të hapura mbi synimet e shteteve në raportet me BE-në dhe forma të tjera të bashkëpunimit” tha Kryeziu.

Opozita e sheh problematike qasjen politike të Kurtit për dialogun me Serbinë, qasje që sipas deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, po e keqëson pozitën e vendit para faktorit ndërkombëtar.

Kjo është vizita e dytë e Kurtit në Bruksel brenda tri javëve, por dialogu ka qenë temë dytësore në takimet me zyrtarët europianë.

 “Shumicën e kauzave që ka pasur zotëri Kurti për me ardh në pushtet kanë qenë kauza të rrejshme. Tash po e shohim se nga të gjitha kauzat ka hequr dorë, nuk e di cilën kauzë që ka mbajtur, sa ishte në opozitë…. 3:21 Nuk kam pa një seriozitet të zotëri Kurti sa i përket dialogut dhe e shoh si disa tentativa të rrezikshme për vendit, sepse Kosova nuk po del e përgatitur para faktorit ndërkombëtar dhe nuk po ka një unitet të brendshme” u shpreh Beqa

As analisti Emir Abrashi nuk pret diçka konkrete nga takimi i liderëve ballkanas.

 “Vizita e kryeministrit Kurti në Bruksel më 18 maj është një vizitë jo formale. Është thënë se do të jetë një vizitë për darkë pune bashkë me liderët tjerët të rajonit dhe përfaqësuesit e komisionit evropian. Unë mendoj që nuk do të ketë ndonjë lëvizje në atë takim, mund të diskutohet çështje në mënyrë jo formale. Mund të bien dakord për t’u zhvilluar ndonjë takim, por nuk besoj se do të ketë diçka konkrete sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, situata në Ballkanin Perëndimor u trajtua me përparësi, dhe u kërkua angazhim shtesë nga ana e Brukselit për arritjen e marrëveshjes midisi Kosovës dhe Serbisë.

Kryediplomati i BE-së, Borel, ka paralajmëruar 22 qershorin si datë për vijimin e dialogut dypalësh.